Veseli me iniciativë për kthimin e eshtrave të Hasan Prishtinës në Kosovë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka përkujtuar veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, Hasan Prishtina, me rastin e 85-vjetorit të vdekjes së tij.
Veseli ka bërë me dije se ka marrë iniciativë për kthimin e eshtrave të Hasan Prishtinës në Kosovë.
“Në 85-vjetorin e vdekjes kujtojmë Hasan Prishtinën, heroin e madh të Pavarësisë së Shqipërisë dhe themeluesin e Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Kosovës. Në këtë vit të nderimit kombëtar për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, dhe në kuadër të shënimit të 100 vjetorit të krijimit të Komitetit ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’, kam marrë iniciativën që eshtrat e Hasan Prishtinës të sillen në Kosovë dhe në një ceremoni shtetërore të varrosën në Prishtinë, në vendin ku prehen Ibrahim Rugova, presidenti i parë i Kosovës dhe Adem Demaçi, simboli i rezistencës kombëtare në Kosovë. Për këtë qëllim u kam dërguar një letër autoriteteve shtetërore në Tiranë, që të na mbështesin në këtë iniciativë domethënëse për memorien dhe identitetin shtetëror të Kosovës. Kosova nuk i harron bijtë e vetë, heronjtë e saj. Ata, si gjithmonë, kthehen të fundit nga betejat!”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/
https://www.facebook.com/kadriveseliofficial/photos/a.268197093355504.1073741853.214842955357585/1063234797185059/?type=3&theater