Veseli: Me investitorë të mëdhenj do ta rigjenerojmë industrinë e Kosovës
Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka takuar sot bashkëqytetarë të tij në Mitrovicë, ku ka thënë se me investime vendore dhe të huaja do t’ia kthejë Mitrovicës reputacionin si motor i zhvillimit të tërë Kosovës.
Veseli ka prezantuar edhe politikën e re fiskale dhe përshkallëzimin e Tatimit në të Ardhurat e Korporatave, me të cilën do t’i stimulojë investitorët.
“Në lagjet dhe fshatrat e Mitrovicës, sot i takova bashkëqytetarët e mi bujarë dhe punëtorë. Me investime të mëdha, vendore dhe të huaja, ne do t’ia kthejmë Mitrovicës reputacionin si motor i zhvillimit të tërë Kosovës. Për të gjitha ata që investojnë në Mitrovicë dhe kudo në Kosovë, ne do të praktikojmë lehtësira të shumta fiskale”, ka thënë ai.
Veseli ka theksuar se investitorët vendorë dhe të huaj do të stimulohen edhe përmes përshkallëzimit të Tatimit në të Ardhurat e Korporatave.
“Në investimet mbi 100 mijë euro, që krijojnë mbi 5 vende të punës, tatimi në të ardhura të korporatës do të jetë 8 për qind. Në ato prej 500 mijë deri në 1 milion euro, që krijojnë mbi 8 vende të punës, tatimi për 10 vjet do të jetë 7 për qind. Në investimet prej 1 milion deri në 3 milionë euro, që krijojnë mbi 20 vende të punës, tatimi do të jetë 6 për qind për 10 vjet. Kurse, në investimet mbi 3 milionë euro, që krijojnë mbi 30 vende të punës, nuk do të ketë fare tatim në të ardhura të korporatës për 10 vjet. Ne do të tërheqim investitorë të mëdhenj për ta rigjeneruar industrinë e Kosovës”, ka deklaruar Veseli.