Veseli: Me mua kryeministër, askush nuk guxon t’i shantazhojë bizneset
Kryetari i Partia Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, i shoqëruar nga ministri i Financave Bedri Hamza, ka vizituar sot Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ku ka theksuar se nëpërmjet luftës kundër korrupsionit në Ministrinë e Financave sot kemi një ekonomi më të drejtë e me mundësi të barabarta.
“Kemi arritur që nëpërmjet luftës kundër korrupsionit me ministrin Bedri Hamza, të shpëtohen miliona euro, të cilat do të investohen për mbështetjen e ndërmarrësve, të rinjve inovatorë dhe projekte kapitale”, ka thënë Veseli.
Ai ka theksuar se ATK-ja duhet të vazhdojë reformat e nisura dhe punën e jashtëzakonshme që po bënë, ndërsa theksoi se do të rriten kapacitetet që do të mundësojnë lehtësira sa më të mëdha për të gjithë tatimpaguesit.
Kandidati i PDK-së për kryeministër ka thënë se do të jetë mbështetësi më i madh për bizneset të cilat siç ka deklaruar janë aset kombëtar i zhvillimit të ekonomisë së vendit.
“Askush nuk guxon t’i cenoj bizneset e Kosovës. Askush nuk guxon t’i shantazhoj. Ata janë aset kombëtar i zhvillimit ekonomik dhe unë do ti përkrahi vazhdimisht edhe më fuqishëm sepse ata e zhvillojnë Kosovën”, është shprehur Veseli.
Ndërsa, ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se në shtatëmujorin e parë të këtij viti ATK-ja ka arritur të arkëtojë 11 për qind më shumë buxhet sesa periudha e njëjtë e vitit të kaluar.
“Kjo rritje e të hyrave nuk ka ndodhë si rezultat i rritjes së ndonjë takse për bizneset por thjesht si rezultat i efikasitetit dhe luftës së pakompromis kundër dukurive negative. Këta zyrtarë të ATK-së janë shtylla e shtetit. Tanimë falë mbështetjes së kryetarit Veseli me ndryshimet ligjore, kanë filluar edhr konfiskimet e pasurisë së paligjshme dhe janë ulur stoqet e borxheve”, ka thënë ministri Hamza.
Në anën tjetër, drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë se falë mbështetjes dhe punës së ministrit Bedri Hamza, ATK-ja ka arritur shumë suksese në reforma e digjitalizim që ka mundësuar efikasitet më të madh të punës.
/Epoka e re/