Veseli: Me mua kryeministër nuk do ketë vend për uzurpator
Naser Januzi nga Barileva e Prishtinës është një biznesmen i cili pasurinë e tij e ka fituar nga puna në Gjermani dhe pas pavarësisë së Kosovës kishte vendosur që kapitalin e tij ta kthej në Kosovë.
Në vitin 2013 ai kishte privatizuar tri lokale në qendër të Prishtinës, por ato nuk po arrinte t’i zotëroj pasi që nga paslufta ishin uzurpuar.
Ai, lokalet e tij ka arritur t’i zotërojë vetëm nga viti 2017, falë vendosmërisë së kryetarit të Kuvendit dhe të PDK-së Kadri Veseli i cili urdhëroi Policinë e Kosovës që bashkë me AKP-në të lirojnë urgjentisht të gjitha pronat e uzurpuara në Kosovë dhe uzurpatorët të përgjigjen para drejtësisë.
“Lokalin kam arritur ta privatizoj në vitin 2013 por për fat të keq, për shkak të parregullsive, tri vite nuk kam mundur ta shfrytëzoj shkaku i uzurpimeve të paligjshme. Kështu që brenda këtyre tri viteve kam shkuar në të gjitha institucionet kam kërkuar ndihmë dhe për fat të keq çdoherë kam marrë përgjigje negative. Por, falë iniciativës së z. Kadri Veseli ne sot e gëzojmë lokalin dhe i posedojmë të gjitha të drejtat. E falënderoj shumë, sepse për momentin çdo gjë është në rregull”, ka thënë Januzi
Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë me këtë rast se nisma e tij për largimin e gjithë uzurpatorëve nga pronat e uzurpuara do të vazhdojë edhe në të gjitha segmentet e luftës kundër krimit, korrupsionit dhe nepotizmit.
“U takova me Naser Januzin nga Barileva e Prishtinës, i cili ishte viktimë e fenomenit të uzurpimit të pronave. Për vite me radhë ai nuk ka pasur mundësi t’i shfrytëzojë tri lokalet që kishte privatizuar me të ardhurat e mbledhura prej punës së tij në Gjermani. Nisma që mora për t’i larguar të gjithë abuzuesit nga pronat e uzurpuara ia ka kthyer edhe Naserit pronat që i takojnë. Jo vetëm kaq, por ia ka kthyer edhe besimin tek e ardhmja e Kosovës dhe do të investojë edhe më shumë kapital, që të hap vende të reja pune dhe të punësojë sa më shumë të rinj. Tani e kanë radhën komunat që të angazhohen më seriozisht dhe t’i lirojnë edhe qindra prona të tjera që mbahen kundërligjshëm të uzurpuara. Vetëm duke luftuar korrupsionin dhe garantuar sundimin e ligjit mund t’i bindim ndërmarrësit e suksesshëm të diasporës, si Naserin dhe shumë të tjerë, që të kthehen dhe të investojnë në të ardhmen e atdheut tonë”, ka thënë Veseli, duke shtuar se me të kryeministër nuk do ketë vend për uzurpatorë.
/Epoka e re/