Veseli: Me të rinjtë kompetentë do të krijojmë mundësi të reja
Lideri i PDK-së, Kadri Veseli ka vizituar sot fabrikën e prodhimit të paneleve diellore “Jaha Solar”, e cila është më e madhja në rajon.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se me të rinjtë kompetentë dhe të pakomprometuar do ta luftojë korrupsionin dhe do të krijojë mundësi të reja, që të rinjtë të mos emigrojnë.
Postimi i plotë i Veselit:
Me ministrin Muzafer Shala e vizituam fabrikën e prodhimit të paneleve diellore “Jaha Solar”, e cila është më e madhja në rajon dhe punëson rreth 110 punëtorë. Cilësia e produkteve të teknologjisë së avancuar ka bërë që kjo kompani të rritet dhe të sigurojë tregje të reja.
Si Ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzaferi e ka ekspertizën e duhur për t’i nxitur të rinjtë dhe për t’i mbështetur idetë e tyre inovative. Me mbështetjen e duhur, shumë kompani do të mund të konsolidohen, zgjerohen dhe të hapin vende të reja të punës.
Me këtë ekip të të rinjve kompetentë dhe të pakomprometuar, ne do ta luftojmë korrupsionin dhe do të krijojmë mundësi të reja, që të rinjtë tanë të mos emigrojnë, por ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendin tonë.
/Epoka e re/