Veseli me të rinjtë: Së bashku në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit

13 gusht 2019 | 13:28

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave përmes zhvillimit të ndërmarrësisë për të rinj të moshës 18-24 vjeç.

Në këtë ngjarje ku rreth 200 të rinj kanë përfituar prej programit, Veseli ka thënë se Kosova ka shumë mundësi për të ndërtuar kapacitete profesionale në përputhje me nevojat e punës.

“Rinia jonë është një aset i jashtëzakonshëm për të nxitur zhvillimin e vendit tonë e për të rritur mirëqenien e çdo qytetari. Një ndër shkaktarët kryesor të gjendjes aktuale është fenomeni korrupsionit. Unë besoj se duke luftuar korrupsionin dhe duke garantuar sundimin e ligjit ne do të nxisim shumë më tepër investime që do të hapin vende të reja pune”, ka thënë Veseli.

Sipas tij, duke luftuar nepotizmin, do të mund të çlirohet konkurrenca në tregun e punës në mënyrë që t’i jepet mundësi më të talentuarve e më të shkolluarve që të kenë sukses.

“Unë kam besim të plotë se ne do ia dalim, nëse të gjithë së bashku përpiqemi. Kosova ia ka dalë që të përballë sfida më të rënda në rrethana edhe më të vështira, prandaj jam i bindur që do kemi sukses edhe në luftën kundër korrupsionit”, ka thënë Veseli.

Ky program trajnimi është mbështetur nga Ministria e Kulturës.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kuti, ka treguar se në…