Veseli merr përkrahje nga Finlanda për vizat dhe Interpolin
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është pritur sot në Helsinki nga kryetarja e Parlamentit të Finlandës, Paula Risikko, dhe parlamentarë të tjerë finlandezë.
Duke vlerësuar raportet shumë të mira mes të dy vendeve tona, kryetari Veseli falënderoi kryetaren Risikko për mbështetjen që Finlanda i ka dhënë Kosovës në procesin e shtetndërtimit.
Të dy kryetarët theksuan nevojën për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Finlandës, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe edukimit.
Kryeparlamentari Veseli, i shoqëruar edhe nga nënkryetarja e Kuvendit, Aida Derguti, foli me theks të veçantë për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Në këtë kontekst, ai kërkoi përkrahjen edhe nga Finlanda që vendimi për heqjen e vizave të merret sa më shpejt brenda këtij viti dhe që edhe qytetarëve të Kosovës t’iu mundësohet lëvizja e lirë sikur të gjithë popujve tjerë në Evropë.
“Ne kemi plotësuar kriteret e parashtruara nga BE-ja për këtë proces. Në vazhdimësi po bëjmë progres në shumë fusha. Me përkushtim të madh po punojmë në shumë reforma që përshpejtojnë agjendën evropiane. Qytetarët tanë nuk e meritojnë që edhe më tutje të mbesin të vetmit në Ballkan të izoluar”, ka theksuar ai.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka kërkuar nga Finlanda që të përkrah Kosovën për anëtarësim në Interpol, si një hap tejet i rëndësishëm për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Duke folur për procesin e fazës finale të dialogut me Serbinë, Veseli ka shprehur gatishmërinë e Kosovës që dialogu të vazhdojë dhe që sa më shpejt të ketë një marrëveshje mes dy vendeve, që do të normalizonte përfundimisht raportet, duke ndodhur njohja reciproke dhe duke bashkëpunuar me të gjitha vendet tjera në Ballkan në agjendën evropiane.
Ndërsa kryetarja e Parlamentit të Finlandës, Paula Risikko, ka vlerësuar progresin e bërë në Kosovë dhe ka theksuar gatishmërinë e Finlandës që të thellohet bashkëpunimi me Kosovën.
Ajo ka konfirmuar mbështetjen për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësim në Interpol por edhe në procese të tjera integruese.
Risikko ka theksuar se Finlanda është e interesuar të përkrah Kosovën në fushën e ekonomisë dhe edukimit.
/Epoka e re/