Veseli: Mësimi online ka mundur të jetë më i intensifikuar, s’morëm shembull as shtetet e rajonit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka vizituar shkollën profesionale “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë.
Me këtë rast, Veseli ka thënë se institucionet duhet të jenë të fokusuara në mbështetjen e shkollave profesionale. Ai ka thënë se vetëm në këtë mënyrë mund të rritet punësimi i të rinjve.
Veseli ka falënderuar drejtorin e kësaj shkolle, për punën dhe përkushtimin, duke shtuar se asnjë i diplomuar nga kjo shkollë nuk është i pa punë.
Më tutje, Veseli ka pasur kritika sa i përket mbajtjes së mësimit online, projekt ky që ka nisur pas përhapjes së koronavirusit, raporton “EO”.
Sipas tij, ky proces ka mundur të jetë më i intensifikuar dhe se për këtë çështje Kosova nuk ka marrë shembull të mirë as nga shtetet e rajonit.
“Mësimi online ka mundur të jetë më i intensifikuar që mos të kenë vetëm një orë përkatësisht një javë për një lëndë”, ka thënë Veseli.
Ndërsa drejtori i shkollës, “Shtjefën Gjeçovi”, Blerim Gervalla, ka theksuar se qeveria duhet të investojë më shumë në arsim.