Veseli: Miqësia Kosovë-ShBA është e pathyeshme
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur të martën në takim delegacionin amerikan të Lutjeve të Mëngjesit, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë.
Kryeparlamentari Veseli ka thënë se Kosova vazhdon të mbetet promovuese e paqes, respektit dhe fqinjësisë së mirë, por gjithashtu edhe kultivuese e barazisë dhe mirëkuptimit midis komuniteteve etnike dhe konfesioneve të ndryshme.
Veseli ka falënderuar Kongresin dhe shtetin amerikan për mbështetjen e parezervë për Kosovë në të gjitha etapat, ndërsa ka konfirmuar edhe njëherë miqësinë e pathyeshme midis Kosovës dhe ShBA-së.
Kryesuesi i delegacionit të Lutjeve të Mëngjesit, kongresisti Randy Hutgren, nga ana e tij, është shprehur i nderuar që gjendet për vizitë në Kosovë dhe ka pasur rastin të njihet nga afër me zhvillimet në vendin tonë.
Në takim ishin të pranishëm edhe deputetë të tjerë të Kuvendit, të angazhuar në aktivitetet e Lutjeve të Mëngjesit.
/Epoka e re/