Veseli mirëpret marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë-Beograd
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka mirëpritur marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, ndërsa ka vlerësuar lartë ndihmën dhe mbështetjen e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për Kosovën.
Veseli përmes një postimi në “Twitter”, ka shkruar se Kosova e di që është në rrugën e duhur në çdo proces kur ka mbështetjen e SHBA-ve.
“Marrëveshja për vendosjen e linjës së re ajrore dhe përshëndetja e dedikuar që i bëri presidenti Donald Trump, janë dëshmi e vëmendjes së vazhdueshme dhe kujdesit të pa ndalur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës dhe stabilitetit të rajonit tonë. Ne jemi të nderuar e krenar që gëzojmë këtë mbështetje amerikane dhe ndihemi se jemi në rrugën e drejtë e të sigurt kurdoherë që është e përfshirë dhe e angazhuar SHBA-ja”, ka shkruar Veseli.
Lideri i PDK-së Kadri Veseli po ashtu ka shpërndarë postiminne presidentit amerikan i cili e ka përshëndetur marrëveshjen si dhe ka falënderuar zyrtarët e lartë amerikan në këtë proces, në krye me ambasadorin Richard Grenell.