Veseli mohon qeveri pa AAK-në brenda këtij mandati
Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli ka mohuar zërat për një qeveri të re pa AAK-në duke shtuar se dëshiron që qeveria aktuale të qëndrojë deri në fund të mandatit.
Në Rubikon të KTV-së, megjithatë ka theksuar se “nuk do të jetë kryetar i Kuvendit nëse është pjesë e një koalicioni që nuk punon për interesat e vendit”.
Duke folur për qeverisjen me Isa Mustafën, ai la fajtor ish-kryeministrin se rrëzoi veten duke mos arritur të garantonte votat e deputetëve të LDK-së për ta votuar demarkacionin.
“Nëse 11 deputetë të PDK-së votojnë kundër ose unë nuk do të jem kryetar i PDK-së, ose ata s’do të jenë në PDK”, ka thënë ai.
Ai shtoi po ashtu se do të jetë kandidat edhe për një mandat të ri në krye të PDK-së, teksa ka komentuar edhe ndikimin e ish-kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, tash president i vendit, në partinë e tij. Ka thënë se “tash presidenti është me rol të pavarur”.
I pyetur nëse Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa do të ishte një kandidate e mundshme e propozuar nga PDK-ja në një qeveri gjithëpërfshirëse, duke qeshur Veseli tha se “nuk e di nëse ka ekzistuar ndonjërë kjo ide”.
“PDK ka dhënë mjaft kryeministra”, theksoi ai.