Veseli: Mungesa e unitetit po e dëmton Kosovën
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar se mungesa e unitetit politik po e dëmton Kosovën.
Pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, Veseli ka thënë se Kosova është duke shkuar me vendosmëri në finalen e dialogut me Serbinë.
Sipas tij, ky proces do t’ia sigurojë Kosovës ulësen në OKB.
“Jemi krenarë që kemi partnerë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se jemi krah me vendet që janë perëndimore. Ajo që e dëmton aktualisht Kosovën është mungesa e unitetit”, ka thënë Veseli.
Ndërsa, kryeparlamentari shqiptar, Gramoz Ruçi, u ka bërë apel subjekteve politike në Kosovë që të jenë unike sa i përket dialogut dhe marrëveshjes me Serbinë.
Sipas tij, dialogu është mekanizmi për të siguruar zgjidhje, për të garantuar edhe njohjen e ndërsjelle Kosovë – Serbi.
Gjatë vizitës në Tiranë, Veseli është duke u shoqëruar nga dy zëvendëskryeministra, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi.
/Epoka e re/