Veseli, Mustafës: Të gjithë duhet të gëzohemi kur ShBA-ja është në Kosovë
Ditën e tetë të fushatës zgjedhore Partia Demokratike e Kosovës e ka nisur në qytetin e Gjakovës.
Nga Gjakova kandidati për kryeministër, Kadri Veseli i ka çuar “selam” kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa se edhe ai duhet të gëzohet kur ShBA-ja dërgon përfaqësuesit e saj në Kosovë, pasi sipas tij kjo është pasuri për vetë shtetin.
Veseli ka thënë se koalicioni i mundshëm Mustafa-Kurti është koalicion i izolimit dhe korrupsionit.
“Isa Mustafa paska deklaruar shqetësimin se unë qenkam shumë proamerikan. Ne duhet të gjithë të gëzohemi të kënaqemi të jemi të lumtur kur ShBA-ja është në Kosovë. Ne duhet të jemi të lumtur kur presidenti dërgon bashkëpunëtorët e tij në Kosovë. Kjo është pasuri për Kosovën…Koalicioni i Mustafës dhe Kurtit është koalicioni i izolimit dhe korrupsionit. Nuk i bën mirë Kosovës”, ka thënë Veseli.
Duke kërkuar votën e qytetarëve të Gjakovës, Veseli ka shpalosur disa nga pikat e programit të tij qeverisës.
“E ardhmja e zhvillimit e perspektivës për të rinjtë për ndërmarrësit për fermerët për profesorët. E ardhmja e Kosovës, e cila do të vendoset në Gjakovë edhe në gjithë territorin e Kosovës, e ky është numri 112, Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë Veseli.
Ndërsa kryetari i Degës së PDK-së në Gjakovë, njëherësh kandidat për deputet, Hajdar Beqa duke kërkuar votën e gjakovarëve, ka thënë se lista e kësaj partie për deputetë është lista më e mirë e çdo partie politike në Kosovë.
“Dega jonë e PDK-së kësaj radhe e ka një listë të kompletuar. I kemi njerëzit e duhur në kohën e duhur për t’i ndihmuar zotëri Veseli për Kosovën… Lista e PDK-së është lista më e mirë që e ka çdo parti e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Kandidatë për deputetë nga radhët e PDK-së në Gjakovë janë Hajdar Beqa, Butrint Batalli, Gentiana Beqa-Ahmeti dhe Hisen Berisha./Ksp/