Veseli: Ndarja e Kosovës asnjëherë nuk do të bisedohet
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë me dije se ndarja e Kosovës asnjëherë nuk do të bisedohet në fazën finale të dialogut me Serbinë.
Ai ka thënë se Kosova është e vendosur të ecë përpara drejt anëtarësimin në OKB dhe BE. “Ndarje të Kosovës nuk do të ketë. Ndarja e Kosovës nuk do të jetë asnjëherë në tavolinën e bisedimeve të cilat i kemi në dialog. Kosova nuk ka asgjë për të dhënë. Ne do të shkojmë në dialog, jemi të vendosur të ecim përpara në anëtarësimin e Kosovës në OKB, BE dhe në institucionet e tjera euroatlantike, të cilat janë interes strategjik yni”, ka thënë Veseli, pas takimit me kryetarin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka.
Lideri i PDK-së, debatin për këtë çështje e ka vlerësuar si garë elektorale, duke i siguruar qytetarët e Kosovës se askush nuk do ta cenojë shtetin e Kosovës. “Debati që është ngjallur është më tepër një garë elektorale, në të njëjtën kohë ka shumë të pavërteta, shumë inati dhe nuk është duke i ndihmuar substancës të cilën ne jemi të përkushtuar, për shtetin tonë të pavarur dhe sovran, drejt OKB-së dhe BE-së. Është duke krijuar një pasiguri dhe një frikë e cila është e cila është e paqenë. Po e ritheksoj edhe një herë, se askush nuk duhet të frikësohet nga dialogu. Dialogu do të thotë sovranitet dhe integritete territorial i Republikës sonë, dialogu do të thotë fqinjësi e mirë, dialogu do të thotë siguri për qytetarët tanë, për gjeneratat e ardhshme. Dhe në të njëjtën kohë, ne nuk kemi pasur kurrë partner më të mirë sesa ShBA-në dhe BE-në. Kurrë nuk kemi qenë në pozitë më të mirë për të dialoguar me çdo vend. Siguria është maksimale se askush asnjëherë Kosovën tonë nuk do ta cenojë”, ka deklaruar Veseli.