Veseli nderon vëllezërit Bytyçi në ShBA: Ta çojmë përpara amanetin e dëshmorëve
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë qëndrimit në Nju Jork, së bashku me ish-bashkëluftëtarët nga Batalioni “Atlantiku”, ka vendosur lule pranë varreve të tre ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi, të cilët janë vranë nga forcat serbe pas përfundimit të luftës në Kosovë.
Veseli ka thënë se liria është e shenjtë dhe e shtrenjtë, prandaj duhet punuar edhe më shumë për ta ruajtur atë që është arritur dhe njëkohësisht për të vazhduar edhe më fuqishëm në kultivimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
“Vetëm 19 vite më herët demonstronit, dilnit në mënyrë ushtarake për t’u nisur në drejtim të rrugëtimit të lirisë, luftës së UÇK-së dhe çlirimit të vendit tonë, Kosovës. Ne do të vazhdojmë këtë partneritet. Jemi falënderues ndaj ShBA-së, ndaj partnerëve tanë dhe do të vazhdojmë bashkërisht për fuqizimin e shtetit. Nuk ka kush që na ndalë”, ka deklaruar Veseli.
Veseli ka thënë se janë krenar me kontributin e vëllezërve Bytyçi dhënë për lirinë e Kosovës
“Ju duhet të jeni krenarë për kontributin që keni dhënë për lirinë e Kosovës. Ata që na kanë ndihmuar dhe e kanë bërë të mundur që edhe ne që kemi qenë në luftë të luftojmë, duhet të jenë krenarë, për aq sa duhet të jemi krenarë edhe për kombin të cilit i takojmë”.
“Jam shumë krenar që sot, si bashkëluftëtar i tyre, bashkëluftëtar i juaji, vij në krye të institucionit të përfaqësuesve të popullit të Kosovës, Kuvendit të Republikës së Kosovës, të ndajë dhe të përkulemi bashkërisht para sakrificës së popullit tonë, para këtyre heronjve të lirisë. Lavdi heronjve të UÇK-së, lavdi sakrificës së popullit tonë”, ka deklaruar Veseli.
/Epoka e re/