Veseli: Në dekadën e dytë të pavarësisë, heronjtë e vërtetë do të jenë prodhuesit
Bizneset prodhuese dhe përpunuese do të mbështeten edhe më shumë me grante, subvencione dhe me politika fiskale, në mënyrë që ata të kenë më shumë prodhim për tregun e brendshëm dhe të jashtëm.
Kështu ka thënë sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në manifestimin “Dita e Patates” që u mbajt në Pestovë të Vushtrrisë.
Para fermerëve dhe përpunuesve të patates, Veseli ka theksuar se Kosova është vend i njerëzve punëtorë dhe i mundësive të mëdha në ekonomi.
“Patriotë bashkëkohorë janë prodhuesit, punëtorët e vyer të Kosovës, ata që me punën e tyre, me iniciativat e tyre ekonomike hapin vende të reja të punës”, është shprehur ai duke shtuar se vizioni në dekadën e dytë të pavarësisë është që Kosova të prodhojë dhe eksportojë sa më shumë produkte.
“Qeveria e Kosovës i ka të qarta obligimet e saj: të sigurojë mbështetje të plotë për bizneset vendore. T’i përkrah ato, jo vetëm me subvencione, por edhe me lehtësirat e kërkuara fiskale dhe me masa të tjera, që prodhimet kosovare të mund të depërtojnë në tregjet ndërkombëtare”, ka deklaruar Veseli.
/Epoka e re/