Veseli në Ferizaj: Lufta kundër korrupsionit do të sjell vende pune për të rinjtë
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Kadri Veseli është pritur në Ferizaj nga qindra zyrtarë të kësaj partie për të diskutuar për përgatitjet e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe planin e Veselit për zbatimin e Planit kundër korrupsionit dhe nepotizmit.
Lideri i PDK-së ka thënë se vizioni i tij i cili po shpërndahet anekënd Kosovës, synon që në qeverisjen e re të udhëhequr prej tij të nisë çrrënjosja e korrupsionit në të gjitha institucionet e vendit, për t’i hapur perspektivë zhvillimit ekonomik dhe shanse të barkarta për të gjithë të rinjtë, në mënyrë që ata ta gjejnë perspektivën e tyre brenda Kosovës.
“Jam falënderues për të gjithë ata qindra, mijëra vajza e djem që po i takoj anekënd Kosovës, të cilët më tregojnë se janë duke e marrë mesazhin, janë duke e përçuar mesazhin edhe më tutje. Vizionin tonë të Kosovës euro-atlantike, vizionin tonë të Kosovës që duhet të ketë perspektivë, duhet me pas zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit. Nuk duhet me pas korrupsion, nuk duhet me pas nepotizëm, nuk duhet me pas ndarje mes vete, nuk duhet me pas përçarje, por duhet me pas bashkim, duhet me pas fitore si Kosovë. Ky është qëllimi jonë”, është shprehur Veseli.
Veseli ka theksuar se Qeveria e re e udhëhequr prej tij, do të punojë shumë më shumë dhe do të krijoj mundësi për rininë nëpërmjet ndërmarrësisë dhe prodhimeve vendore, për të hapur vende të reja pune për vajzat dhe djemtë e rinj, të cilët si ka thënë ai duhet ta krijojnë familjen e re të tyre në Kosovë, e jo të mendojnë të ikin nga Kosova.
“Duhet edhe shumë më shumë me punuar në mënyrë që tu krijojmë perspektivë vajzave dhe djemve tanë të rinj që mos ta lëshojnë Kosovën. Me pas shpresë, me pas besim, me pas mundësi me pas shanse me jetuar në Kosovë, me krijuar familjet e tyre në Kosovë, me qenë me prindërit e tyre. Për faktin se ky është shtet që e kemi arritur të gjithë bashkërisht. Duhet shumë me punuar me funksionuar ligji. Duhet shumë me punuar me pas ndërmarrësi edhe më të fuqishme e më të zhvilluar, për faktin se kur kemi ndërmarrësi të fuqishme kemi prodhim më shumë. E kur kemi prodhim më shumë, kemi edhe njerëz të punësuar më shumë e më pak njerëz që tentojnë me na ikë. Ky është orientimi ynë, kjo është politika jonë, politika e Partisë Demokratike të Kosovës”, është shprehur Veseli.
/Epoka e re/