Veseli në Gjilan mbjell fidane, bën thirrje për ruajtje të ambientit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, bashkë me udhëheqësit e Agjencisë Pyjore të Kosovës, ka marrë pjesë në aksionin për pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura në fshatin Llashticë të Gjilanit, me ç’rast ka mbjellë edhe fidane.
Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për pyllëzime dhe njëkohësisht për një ambient më të pastër.
“Është shumë inkurajuese mbjellja e këtyre fidanëve të pishave, për shkak të ndikimit që e kanë në ambientin dhe jetën tonë të përditshme. Kosova në raport me vendet e Bashkimit Evropian ka një situatë të mirë me pyje, por ajo çka na shqetëson të gjithëve është pjesa e ambientit. Hedhja e mbeturinave vend e pavend është e papranueshme për vetë identitetin tonë”, ka thënë Veseli.
Veseli ka theksuar se qytetarët dhe institucionet duhet të bëjnë më shumë për të ruajtur ambientin.
Ndërsa, Ahmet Zejnullahu, kryeshef ekzekutiv Agjencisë pyjore të Kosovës, ka thënë se këtë vit planifikohen të pyllëzohen rreth 300 hektarë.