Veseli: Në ‘Kroin e Vitakut’ do ta nisim bashkimin e Mitrovicës
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli, ka vizituar lagjen “Kroi i Vitakut”, nga ku ka thënë se do ta nis bashkimin e Mitrovicës.
Veseli ka theksuar se sa të jenë gjallë bijtë e Shalës dhe stërnipat e Isë Boletinit, bijtë e Drenicës dhe stërnipat e Azem Galicës, Mitrovica kurrë nuk ndahet.
“Me banorët e guximshëm të lagjes “Kroi i Vitakut”, aty ku do ta nisim bashkimin e Mitrovicës. Kemi sakrifikuar shumë që Kosova të jetë e çliruar dhe Mitrovica e bashkuar. Dhe, të jeni të sigurt, që sa të jenë gjallë bijtë e Shalës dhe stërnipat e Isë Boletinit, bijtë e Drenicës dhe stërnipat e Azem Galicës, Mitrovica kurrë nuk ndahet. Bashkim dhe jo ndarje duhet të ketë edhe rreth vizionit tonë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Për një Kosovë pa korrupsion e nepotizëm, me shanse të barabarta për të gjithë, me ekonomi të fuqishme, me vende pune të qëndrueshme dhe me rininë tonë që jeton këtu. Fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës, më 6 tetor do ta festojmë edhe te “Kroi i Vitakut”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.