Veseli në Maqedoni, bën thirrje pro referendumit
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në kuadër të vizitës zyrtare në Shkup, është pritur në një takim të veçantë nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.
Në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet midis dy vendeve, mundësitë e thellimit të bashkëpunimin ndërparlamentar, si dhe aspiratat e përbashkëta euroatlantike të Kosovës dhe Maqedonisë.
Veseli e Xhaferi trajtuan zhvillimet aktuale në të dyja vendet, me theks të veçantë u diskutua për referendumin në Maqedoni, lidhur me emrin, i cili do të mbahet këtë të diele dhe dialogun midis Kosovës e Serbisë.
Me këtë rast Veseli ka thënë se Kosova respekton sovranitetin dhe integritetin e Maqedonisë, e po ashtu respekton vullnetin e qytetarëve të saj për emrin, cilido qoftë ai.
Sidoqoftë, kryetari Veseli u bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë që t’i thonë po referendumit.
“Do të jemi bashkë në rrugëtimin tonë euroatlantik. Prioritet nacional i të dyja vendeve është integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ballkani perëndimor ka vuajtur nga mungesa e prosperitetit dhe kemi mbetur larg nga Bashkimi Evropian për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë pasur vendet. Kjo tregon domosdoshmërinë e vendimmarrjes politike, në mënyrë që vendet tona të lëvizin më shpejt drejt bashkimit Evropian. Kjo është arsyeja pse ne i japim përkrahje marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit”, ka theksuar Veseli.
Veseli po ashtu ka folur edhe për zhvillimet në Kosovë dhe marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.
Kreu i Kuvendit ka theksuar se Kosova ka gatishmëri të futet në fazën e fundit të dialogut me Serbinë, në mënyrë që t’i jepet fund çdo mosmarrëveshje mes dy vendeve.
“Kosova si shtet i pavarur nuk ushqen në asnjë formë pretendime territoriale. Për Kosovën, në këtë fazë është me rëndësi funksionaliteti i institucioneve të saj në tërë territorin. Nuk do të lejojmë qe me marrëveshjen me Serbinë të kemi precedent negativ”, është shprehur Veseli.
Kurse kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ka thënë se të dy vendet do të intensifikojnë bashkëpunimin, ndërsa përshëndeti dialogun Kosovë-Serbi, dhe përpjekjet e të dyja vendeve për arritjen e marrëveshjes.
“Bashkëpunimi midis dy vendeve tona duhet të intensifikohet. Kuvendi i Maqedonisë ka formuar grup parlamentar për bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës. Përsërisim mbështetjen e ndërsjellë në procesin e integrimit euroatlantik”, ka theksuar kryeparlamentari Xhaferi.
Ai po ashtu ka bërë me dije se procesi i referendumit në Maqedoni po shkon drejt fundit dhe ka shprehur optimizëm për ecuri të suksesshme të tij.
/Epoka e re/