Veseli në Mitrovicë: Territori i Kosovës, i paprekshëm
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se territori i Kosovës është i paprekshëm.
“Territori i Kosovës, Mitrovica nuk do të preken, ani se Serbia synon aneksimin e Kosovës. Fjalët se Kosova do të ndahet janë pro ruse”, ka deklaruar Veseli në tryezën “Faza finale e Dialogut Kosovë-Serbi”.
Veseli nga Mitrovica ka thumbuar rivalin politikë LDK-në, duke thënë se ka fituar zgjedhjet lokale duke përmendur idenë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.
“Nënkryetari i LDK-së është ndër të parët që pati folur për Luginën e Preshevës, ide me të cilën fitoi në zgjedhjet lokale, gjë që është e pamoralshme”, ka thënë Veseli.
Edhe sa i përket thirrjes së një seance të jashtëzakonshme nga opozita, Veseli ka thënë se një seancë e tillë është e rrezikshme.
“Thirrja e kësaj seance është e rrezikshme dhe manipuluese, pasi që do të duhej të flitej për bashkim dhe jo për ndarje. I kemi ftuar për bashkërendim të veprimeve, por ata nuk ishin të gatshëm”, është shprehur Veseli.