Veseli në Prizren e Dragash: PDK-ja ka besimin e qytetarëve
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në takim me kryesitë e Degëve në Prizren e Dragash, ka diskutuar rreth mobilizimit në degët e partisë për zgjedhjet e parakohshme nacionale në vend.
Kryetari Kadri Veseli ka thënë se Prizreni dhe Dragashi kanë qenë përherë bastione të Partisë Demokratike të Kosovës. Madje e kanë dëshmuar se çdo herë vetëm sa është rritur besimi. Dhe ka shumë arsye për këtë.
“Ne kemi qenë ata që kemi sjellë ndryshime të mëdha kudo në Kosovë. Kemi vizionin, guximin dhe forcën për vendime të rëndësishme për vendin. Të tjerët merren me ne, por ne e kemi vetëm një qëllim. Të punojmë për vendin”, ka shtuar tutje kryetari Veseli.
Veseli ka thënë se zgjedhjet janë të pashmangshme dhe se PDK ka besimin e qytetarëve.
“Zgjedhjet janë të pashmangshme. Partia Demokratike e Kosovës është jashtëzakonisht e përgatitur për zgjedhjet e reja. Ne dalim në këto zgjedhje për fitore bindëse. Gjithandej Kosovës ka një entuziazëm të jashtëzakonshëm të qytetarëve për t’u bashkuar me ne. Një proces zgjedhor brenda partisë ka treguar se ne jemi shembull për organizim e demokraci. Pjesëmarrja masive në zgjedhjet e brendshme është tregues i qartë se PDK ka besimin më të madh të qytetarëve, e kjo do të dëshmohet edhe në këto zgjedhje”, shtoi Veseli.
Ai ka përgëzuar strukturat e partisë për unitetin dhe punën e jashtëzakonshme që vizioni i Dekadës së Re për Kosovën të shtrihet kudo dhe që njerëzit t’i bashkohen masivisht kësaj platforme.