Veseli: Në qeverinë time të gjithë të korruptuarit do t’i largoj nga institucionet
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka deklaruar sot se zgjedhjet e parakohshme parlamentare tanimë janë të pashmangshme dhe në këto zgjedhje ai pret që të marr besimin si kryeministër i vendit për t’i quar përpara luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit dhe proceset integruese të vendit.
Në një intervistë për “RTV 21”, lideri i PDK-së Kadri Veseli, ka thënë se partia që drejton dy herë ua ka dhënë të tjerëve pozitën e kryeministrit por asnjëri nuk ka mundur ta qoj deri në fund asnjë proces.
Ai ka theksuar se tani këtë pozitë me besimin e popullit do ta udhëheqë ai, në mënyrë që t;i vazhdojë nismat e tij për luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe integrimin e vendit në strukturat euro atlantike.
Ai ka sqaruar sërish se më datën 22 gusht Kuvendi do ta mbajë seancën për shpërndarjen dhe më pas nga 30 deri 45 ditë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Që nga dita e parë e dorëheqjes së kryeministrit e kam thënë se zgjedhjet janë të pashmangshme, janë opsion që u ofron qytetarëve një mundësi të mirë. Në mënyrë të veçantë rinisë novatore, që të kemi një qeverisje në luftë kundër korrupsionit, nepotizmit, që t’i hapim një perspektivë Kosovës në rrugëtimin tonë euroatlantik. Zgjedhjet janë të pashmangshme dhe askush nuk duhet t’i frikësohet vullnetit të qytetarëve dhe ky do të jetë qëndrimi ynë”, ka thënë lideri i PDK-së.
Veseli tutje ka thënë se ka pasur mundësi që në kuadër kushtetues të bëhet tani kryeministër dhe të vazhdojë qeverisjen deri më 2021, por tha se nuk ka pranuar asnjë variant tjetër përveç nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare.
“Nuk do të hyja në asnjë variant tjetër, për faktin se në sfidat që i ka Kosova para vetes në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit të cilën e kam filluar dhe do ta qoj deri në fund në katër vitet e ardhshme të qeverisë së udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës, por edhe në sfidat euro atlantike që i ka Kosova, duhet të ketë një legjitimitet i cili duhet të vije nga vota e qytetarëve. Patëm disa kryeministra të cilët nuk e patën atë legjitimitetin të cilin do të duhej ta kishin nga qytetarët. Ne ju kemi dhënë përkrahje si PDK por na lanë në gjysmë. Kështu që zgjedhjet janë një moment i artë për të vendosur qytetarët”, u shpreh Veseli.
Ai ka folur edhe për koalicionet me partitë e tjera politike.
“PDK shkon në këto zgjedhje me bindjen e plotë se vullneti i qytetarëve i shenjtë dhe ta fitojmë vullnetin e qytetarëve. Pra shkojmë me bindje dhe besim për të fituar që të jem më i drejtpërdrejt. Nuk do t’ia japim më kryeministrin askujt sepse nuk janë të gatshëm ta qojnë deri në fund. Herën e fundit kur nuk lëvizte asgjë në Kosovë dhe e quam vendin në zgjedhje na akuzonin neve. Tani e kemi vet dorëheqjen e kryeministrit. Por janë analoge sepse asgjë nuk ka lëvizur. Nuk ka pasur gatishmëri për luftën kundër korrupsionit, në hapat që i kam filluar unë. As kundër nepotizmit. Për aq sa as në rrugëtimin euroatlantik nuk ka pasur progres. As në ballafaqimin me Serbinë po ashtu, përveç fjalëve e luftës verbale. Qytetarët nuk kanë nevojë për shumë fjalë, por për veprime. Të korruptuarit nuk do të jenë në asnjë institucion publik. Disa parti kanë filluar kalkulimet qysh brenda vetes. Si mund ato të qeverisin Kosovën kur brenda partisë tyre janë llom”, ka thënë Veseli.
Ai ka folur edhe për koalicionin e përfolur ndërmjet LDK-së e Vetëvendosjes!, të cilin këto parti po e negociojnë.
“Imagjinoni çka ka bërë Vetëvendosje. Për tri vite e ka djegur Kosovën, ka gjuajtur me gaz e mollotov në institucione dhe në shtëpinë ku ishin nipat e mbesat e Isa Mustafës. E kanë quajtur argat të Serbisë. E sot, për pushtet e harrojnë krejt dhe thonë eja bëhemi bashkë dhe ta ndajmë si në Pazar. Nuk ka Pazar me vullnet të popullit”, u shpreh Veseli.