Veseli në stadiumin “Fadil Vokrri” jep një premtim të madh
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli sot e ka vizituar stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Veseli është ndarë i kënaqur me punimet që janë bërë në këtë stadium, kurse më këtë rast nuk hezitoj të jap një premtim të madh, duke thënë se në fillim të vitit të ardhshëm do të fillojnë punët në stadiumin Kombëtar në Drenas.
“Vetëm disa muaj më herët pak kush kishte besuar se do të kemi një stadium të tillë në qendër të Prishtinës. Ky është ndër projektet më të bukura të stadiumeve që mund të transformoheshin në modernizim. Kemi hyrje, tribuna dhe fushë moderne. Kjo do të vazhdon në gjithë Kosovën. Ky projekt është në përfundim, kurse me pas do të vazhdojmë në Mitrovicë, ndërsa stadiumi Kombëtar do të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm, i cili do të jetë më i miri jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe në regjion. Do të vazhdojmë investimet në terrene sportive në Prizren, Podujevë, Ferizaj, Gjilan, Gjakovë dhe Pejë në mënyrë që të kemi sa më shumë stadiume”, ka thënë Veseli.
“Urime të gjithëve stadiumi që mbanë emrin ma emblemë të futbollit të Kosovës. Ne jemi rritur me legjendën Fadil Vokrri. Ai më nuk është në mesin tonë, por e kemi stadiumin që përjetë do të mbajë emrin e Fadil Vokrrit, dhe ai do të jetë ideal për të rinjtë dhe rejat se si duhet të jetësh i suksesshëm në sport, por edhe pas përfundimit të karrierës”, ka deklaruar Veseli.
/Veton ZYMBERI/