![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2019/04/4206900D-16A2-4EEC-9BD1-E8C11C352E21.jpeg)
Veseli në takim me ambasadorin e Gjermanisë, ky është vlerësimi i tij për Samitin e Berlinit
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka takuar sot ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë, me të cilin ka diskutuar për diskutimet dhe rekomandimet e dala nga Samiti i Berlinit, i mbajtur dje.
Veseli përmes një statusi në “Facebook”, ka thënë se ky samit ishte një hap para për perspektiven evropiane të Ballkanit.
Ai theksoi se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rezultojë me njohje.
“Në takim me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, vlerësuam se Samiti i Berlinit ishte një hap përpara për perspektivën evropiane të Ballkanit, e në veçanti për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky samit tregoi se, kur ka një vendosmëri dhe seriozitet, mund të ketë edhe rezultate dhe për këtë përgëzoj kancelaren Merkel dhe presidentin Macron.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duhet të ndërtojnë strategjinë e qasjes për arritjen e Marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, që rezulton me njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Republika e Kosovës mirëpret rekomandimet nga ky samit dhe do të marrë obligimet e veta në bazë të vullnetit të qytetarëve të saj, fqinjësisë së mirë dhe orientimit të vet euroatlantik”, ka shkruar ai.