
Veseli në takim me komisionarin Hahn: Vendimi për heqjen e vizave nuk duhet të shtyhet
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar të hënën komisionarin evropian për zgjerim, Johannes Hahn, me të cilin ka biseduar për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, dialogun me Serbinë si dhe reformat që Kosova po bën në shumë fusha.
Veseli ka falënderuar komisionarin Hahn për mbështetjen që Bashkimi Evropian i ka dhënë Kosovës.
Ai ka theksuar se qytetarët e Kosovës presin që BE-ja të jetë unike sa i përket heqjes së vizave, pasi tashmë çdo kriter është plotësuar.
Kryeparlamentari Veseli ka theksuar se është e padrejtë për qytetarët e Kosovës që edhe pas plotësimit të kritereve të kërkuara, të mbesin të vetmit të izoluar në Ballkan.
Sa i përket dialogut me Serbinë, kryetari Veseli theksoi se Kosova është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje finale, që do të zgjidhë një herë e përgjithmonë të gjitha çështjet e hapura e në të njëjtën kohë i hapë rrugë Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, OKB, NATO dhe organizata të tjera.
Në lidhje me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, Kryeparlamentari Veseli e ka njoftuar komisionarin se Kuvendi i Kosovës do të miratojë ligjet për këtë, me 14 dhjetor. Ai ka theksuar se ky vendim do të jetë një hap i rëndësishëm për ruajtjen e paqes në Ballkan, duke forcuar po ashtu partneritetin me NATO-n.
/Epoka e re/