Veseli nga Ferizaj kërkon më shumë testime për Covid-19, nuk flet për politikë

07 prill 2020 | 12:19

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka vizituar sot Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj bashkë me kryetarin e kësaj komune, Agim Aliu.

Ai ka falënderuar mjekët dhe gjithë stafin shëndetësor për punën që po e bëjnë në përballjen me pandeminë.

“Mjekët dhe i gjithë personeli shëndetësor janë duke bërë një punë të jashtëzakonshme. Nuk do t’ua harrojmë kurrë. Shumë shpejt po presim që në Kuvendin e Kosovës të kalojmë një Pako të Emergjencës Fiskale e cila do t’i ndihmojë edhe punëtorët shëndetësorë edhe punëtorët në sektorin privat. Në të njëjtën kohë do ta fuqizojë rolin e komunave në ballafaqimin me këtë pandemi e cila tani më është globale”.

“Kryetari (Agim) Aliu ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë për vet faktin se qysh para shpërthimit të madh të pandemisë ka marrë masat për ta përgatitur Ferizajn për ballafaqimin me këtë virus i cili nuk është i lehtë dhe është i pabesë”, ka thënë Veseli.

Veseli ka kërkuar që të realizohen më shumë testime duke marrë shembullin e Komunës së Ferizajt ku janë kryer vetëm 22 testime.

“Nuk janë me rëndësi statistikat sa është me rëndësi a kemi njerëz të infektuar ose jo. Në gjithë regjionin e Ferizajt po flasim për vetëm 22 testime. Duhet të ketë më shumë testime në mënyrë që të ndalet zinxhiri i infektuesve të cilët mund ta bartin pa vetëdijen e tyre virusin të familjarët, qyteti dhe në tërë Kosovën”, ka deklaruar Veseli.

Veseli nuk ka dashur të flasë për punën e mandatarit, duke thënë se kjo pjesë i takon atyre që e rrëzuan qeverinë dhe atyre që janë në qeveri.

“Për këtë pjesën politike do të rezervohem. Është çështje e atyre që e kanë bërë mocionin e mosbesimit dhe atyre që janë aktualisht në qeveri që të marrin vendime. Pozicioni jonë është shumë i qartë”.

“Ajo që është kryesore në këtë moment është se qytetarët tanë po ballafaqohen me pandeminë. Pjesa tjetër çka është shumë e rëndësishme është se cilat do të jenë pasojat pas dy ose tre muajve kur mund ta tejkalojmë këtë pandemi. Është pjesa socio-ekonomike ku preket drejtpërdrejtë sektorit privat – kemi të bëjmë me 280 mijë punëtorë të sektorit privat që po rrezikojnë të mbesin skema sociale”.

“Ne si PDK kemi marrë një iniciativë dhe presim që të premten të kemi një seancë të jashtëzakonshme. Është një pako prej 320 milionë eurosh që do t’i ndihmojë punëtorët e sektorit privat, ndërmarrësit, por edhe punonjësit shëndetësorë dhe komunat që duhet të kenë mjete financiare për ballafaqimin me emergjencat që kanë”.

“Shpresoj që të premten të jetë një ditë e bashkimit e spektrit politik për ballafaqim të suksesshëm me pandeminë”, është shprehur Veseli.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, ka thënë se…