Veseli: Nga sot nisim punën për largimin e qeverive të mashtrimit

10 qershor 2020 | 12:11

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot se vetëm partia që ai drejton mund ta bëj rimëkëmbjen kombëtare për shqiptarët.

Në ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lideri i PDK-së ka mbledhur Kryesinë e kësaj partie nga ku ka shpalosur vizionin e ri të PDK-së.

“Orientimi ynë euroatlantik është i pakompromis, ndërsa çdo politikë që provon t’i prishë raportet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës  është ftesë tinëzare për ato vende dhe gjeopolitika që e duan shkatërrimin e shqiptarëve”, ka thënë Veseli.

Ai ka vlerësuar se më 6 tetor të vitit të kaluar ka ndodhur një mashtrim i madh politik, që ka vënë në rrezik shqiptarët. “Qasja majtiste ekstreme dhe ideologjia anti-amerikane – kanë tronditur orientimin tonë kombëtar. Ndërsa, fryma e urrejtjes dhe e përçarjes brenda, dobësoi shtetin tonë dhe i hapi orekse pretendimeve antishqiptare. Ne nuk kemi njerëz për të humbur. Nuk kemi toka për të dhënë. Dhe, nuk lejojmë askënd të cenojë vlerat tona, lirinë, shtetin dhe kombin tonë”, ka deklaruar Veseli.

Para kryesisë qendrore të PDK, ai ka treguar se po e fillon ngadalë edhe prezantimin para qytetarëve të Kosovës të platformës së rimëkëmbjes kombëtare.

“Platformë e ideologjisë djathtiste, që mbron vlerat tradicionale, ruan miqësitë dhe zhvillon lirinë”, ka vlerësuar Veseli.

Ai ka deklaruar  se në qeverisjen e kaluar PDK-ja  ka lidhur Prizrenin me Tiranën përmes autostradës së Kombit, ndërsa është zotuar se në mandatin e ardhshëm do ta lidhë Prizrenin me Tetovën.

 

(M.K /Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KLIKO KËTU /PDF/ KONKURS PËR REKTOR TË UNIVERSITETIT TË SHKENCAVE…