Veseli nga Suhareka premton mbështetje për bizneset e Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, ka vizituar disa biznese në Suharekë.
Ai ka thënë se në qeverisjen e tij bizneset e Kosovës do të mbështeten jo vetëm me grante intensive, por edhe për luftimin e korrupsionit.
“Në fabrikën e këpucëve ‘Solid’ dhe mobilieritë ‘Graniti’ e ‘Te Naseri’ në Suharekë, sot pashë teknologji moderne, pashë menaxhim, zhvillim dhe shumë të reja e të rinj që me përkushtim e bënin punën e tyre. Korrupsioni ua rrit koston operacionale bizneseve, sipas studimeve, deri në 10 për qind brenda vitit. Por, jetësimi i Planit kundër korrupsionit garanton eliminimin e mundësive korruptive dhe ndikon në kursimin e miliona eurove që do përdoren për zgjerimin e bizneseve dhe krijimin e vendeve të reja të punës”.
“Bizneset në Suharekë dhe në tërë Kosovën, në qeverisjen time, përveç që do t’i mbështesim me grante investive, do t’i stimulojmë të bëhen edhe bashkëpunëtorë kryesorë në luftimin e korrupsionit. Ne do t’i mbështesim dhe do u krijojmë mundësi të rinjve, që idetë e tyre, iniciativat e tyre, t’i jetësojnë në atdhe, këtu ku na kanë jetuar të parët, ku jetojmë ne dhe ku duam t’i rrisim shumë më mirë edhe fëmijët tanë”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/