Veseli: Ngjarja e rëndë e vrasjes në Prizren, akt i papranueshëm
Policia e Kosovës ka njoftuar se një grua është vrarë në orët e vona të së martës në Prizren.
Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur në orën 23:00 në rrugën “Hysni Morina” në Prizren.
Bazuar në njoftimin e policisë, i dyshuari B.V për “vrasje të rëndë”, është bashkëshorti i saj.
Ndaj këtij rasti ka reaguar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Ai ka thënë se ngjarja e rëndë e vrasjes në Prizren, është një akt i papranueshëm të cilin e ka dënuat fuqishëm.
“Dhuna në familje dhe keqtrajtimi i grave, janë fenomene që shkojnë ndesh me vlerat tradicionale të familjes sonë si dhe me të drejtat themelore të njeriut. Gratë në Kosove kanë qenë në vazhdimësi subjekt i diskriminimit, abuzimit e dhunës. Me këtë rast i bëj thirrje policisë dhe institucioneve të drejtësisë që të japin përgjigjen e merituar për këtë rast të dhimbshëm dhe që çështjet që lidhen me dhunën ndaj grave ti trajtojnë me përparësi dhe përkushtim të veçantë”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shtuar se neglizhenca dhe indiferenca e institucioneve shtetërore të ligjit ndaj grave të kanosura apo thirrjeve të grave për ndihmë nuk do të tolerohen më.