Veseli: Nuk ka forcë që na ndalë në rrugën e reformave
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në Vushtrri, ka takuar strukturat e reja të degës së PDK-së në prani të udhëheqësve qendror e lokal partiak.
Ai ka folur për vizionin e Dekadës së Re si vizion i së ardhmes së PDK-së dhe Kosovës në dekadën e tretë të lirisë dhe të dytën pas Pavarësisë.
“Nuk ka forcë që mund të na ndalë në rrugën e reformave rrënjësore për të krijuar mundësi për njerëz me energji të reja, me inovatorë e ndërmarrës që do ta zhvillojnë më fuqishëm ekonominë vendit tonë. Ne do të merremi me projektet e së ardhmes, me Dekadën e Re, për Kosovën e integruar drejt Bashkimit Evropian, në NATO dhe partneritet me SHBA-të. Ky është vizioni dhe qëllimi ynë për të ardhmen”, ka thënë Veseli.
“Përkushtimi jonë në Dekadën e Re, është një trashëgimi e UÇK-së dhe e gjeneratave të mëhershme që ka kulmar me luftën e UÇK-së. E ardhmja është përgjegjësi e neve që jemi gjallë, neve që e duam këtë vend dhe që dëshirojmë që fëmijët të rriten në këtë vend dhe të kenë perspektivë, të jetojnë më mirë. Kjo është përgjegjësi e Dekadës së Re, është përgjegjësi e PDK-së”, ka deklaruar Veseli.
Duke folur për shumë projekte të realizuara nga qeverisja e PDK-së në Vushtrri, kryetari Veseli ka pohuar se shumë prej tyre ende po vazhdojnë sot të realizohen.
Ndërsa duke folur para strukturave të reja partiake në Vushtrri, Veseli ka thënë e në mbarë vendin kanë marrë pjesë më shumë se 50 aktivistë në zgjedhjet e PDK-së, të cilat kanë rezultuar me një reformë substanciale ku më shumë se gjysma e kryetarëve të nëndegëve dhe degëve janë zgjedhur të rinj.
“Në këto zgjedhje të brendshme, PDK-ja ka filluar me një vizion të ri dhe, përveç proces zgjedhor e reformues, është vizion i ri, është energji e re për Kosovën, për proceset euroatlantike, në rrugën e së cilës Kosova do të dalë suksesshëm dhe faqebardhë”, ka thënë Veseli.
Ndërsa rreth iniciativës për tribunalin për dënimin e krimeve serbe në Kosovë, ai ka theksuar se iniciativa ka për qëllim të sjell drejtësi për mijëra viktima të gjenocidit serb.
“Nuk do të lejojmë që historia të përsëritet. Ne do të përgatitemi që të jemi më të fortë dhe më të zhvilluar. Nuk duam hakmarrje por drejtësi, si komb dhe si shtet. Serbia duhet të përgjigjet për gjenocidin ndaj shqiptarëve, në mënyrë që të jetojmë në paqe me të gjithë fqinjët dhe t’i hapim perspektivë Ballkanit Perëndimor, e bashkërisht të ecim drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, ka thënë Veseli.
Lideri i PDK-së foli edhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa bëri thirrje për luftim më të madh të këtyre dukurive negative me më shumë guxim në mënyrë që mos të mbrohet askush, pavarësisht përkatësisë partiake.
“Unë besoj se Kosova do të rrugëtojë suksesshëm, do të bëjë më shumë në proceset zhvillimore drejt Bashkimit Evropian. Njerëzit e presin këtë nga ne. Kjo do të arrihet përmes një koncepti dhe vizioni që jemi duke e zhvilluar në Dekadën e Re. Asetin themelor, kapitalin human, ta përdorim në mënyrë adekuate, për inovacion ndërmarrësi dhe resurse natyrore”, ka theksuar. Veseli.
Kryetari i degës së PDK-së në Vushtrri, Kurtan Kajtazi, ka diskutuar për procesin e suksesshëm zgjedhor në Vushtrri, strukturë prej 59 nëndegëve, e ku në qytet, prej 5 nëndegëve janë bërë 11 nëndegë dhe beson që strukturat që janë zgjedhur, në qytet dhe në të gjitha fshatrat, do të shihen me angazhimin e mëtutjeshëm.
/Epoka e re/