Veseli: Nuk rri as dy ditë në një Qeveri që dëmton raportet Kosovë-ShBA
Dialogu Kosovë-Serbi aktualisht është bllokuar, pas situatës së krijuar me vendosjen e taksës dhe refuzimit të kryeministrit Ramush Haradinaj për ta dëgjuar kërkesën e ShBA-ve për suspendimin e saj.
Por, cili do të jetë qëndrimi i liderit të koalicionit qeverisës, Kadri Veseli, për zgjidhjen e kësaj situate?
“Qëndrimi im do të jetë ai që po e them publikisht – cili do të jetë qëndrimi i SHBA-së dhe i partnerëve perëndimorë, do të jetë edhe i imi. Dy ditë nuk rri në një Qeveri, e cila i dëmton këto raporte. Ky raport nuk ka të bëjë vetëm me disa shtete. Ka të bëjë në raport me të ardhmen e këtij shteti, e këtij kombi. Nuk mund ta imagjinoj zhvillimin e Kosovës, perspektiven e Kosovës, Ushtrinë e Kosovës, ta quaj të zhvilluar pa raportin me SHBA-në dhe BE-në”, ka deklaruar Veseli për “Pista.News”.