Veseli: Opozita s’ka guxim të ngrehë mocion mosbesimi ndaj Qeverisë
Pozita dhe opozita janë ballafaquar verbalisht gjatë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Fillimisht, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se është e qartë se Kosova është duke u qeverisur nga një koalicion i pakicës.
Ajo ka thënë se pozita duhet ta kuptojë se janë pakicë dhe nuk mund ta hedhin fajin tek opozita.
“Kërkesat që do të duhet të votohen në orën 17:00 është veç sa për t’u dukur që Kuvendi është funksional. Kjo po i zhvlerëson deputetët sepse ata nuk janë vetëm për të votuar. Ne nuk pajtohemi me këtë propozim. Qëndrimi i Vetëvendosjes është që të shkohet në zgjedhje sepse ju nuk i keni numrat”, ka thënë Haxhiu gjatë seancës plenare.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili ka thënë se opozita nuk ka guxim të ngritë votëbesim për rrëzimin e Qeverisë.
Veseli ka thënë se nuk ka opozitë më të dobët, e cila sipas tij nuk guxon të marrë këtë iniciativë.
/Epoka e re/ A. Mavraj/