Veseli: PDK-ja, adresa politike për të gjithë qytetarët e vendit tonë

30 tetor 2018 | 19:35

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një atmosferë të jashtëzakonshme, mori pjesë në hapjen e Konventës për zgjedhje të brendshme në Drenas, ku theksoi rëndësinë e zgjedhjeve jo vetëm në këtë bastion, por edhe në të gjitha degët e PDK-së, duke vlerësuar se Dekada e Re, do të jetë mundësi dhe platformë e të gjithë qytetarëve për të kontribuar për vendin në të gjitha fushat.

“Kosova është vend që i duhet zhvillim më i hovshëm, uniteti në Drenas dhe Drenicë, i jep fuqi Kosovës, dhe PDK-së”, ka theksuar Veseli.

“Cila është e ardhmja jonë, në aktualitetin tonë, nga po shkojmë? Këtu, nga ku buron liria, në këto 30 vitet e fundit, kemi përjetuar gëzime e mikpritje, suksese dhe fitore, por edhe momente të sprovave të mëdha dhe sakrificë me okupatorin serb. Ne të gjitha i kujtojmë me nderim. Ju, familjet Tuaja, djemtë më të mirë dhe vajzat më të mira të Drenicës ishin me neve. Andaj e arritëm edhe fitoren, sepse ishim unik”, ka thënë Veseli.

Ai ka shtuar se obligimi ndaj qytetarëve është që ata të jetojnë më mirë.

“Nuk mjafton sa kemi punuar, ne duhet të punojmë edhe më shumë. Shteti jonë i pavarur, do të jetë më i fuqishëm dhe më i zhvilluar, më i integruar dhe adresë e qytetarëve të Kosovës me Dekadën e Re, sepse, kur PDK është mirë edhe Kosova është mirë”, theksoi kryetari Veseli duke cekur se PDK-ja nuk ka luftë me askënd, por synon vlerat e secilit qytetar të jenë në shërbim të qytetarëve.

“Ne edhe kemi dallime me të tjerët, por nuk kemi arsye të fyejmë askënd, ne respektojmë shtetin dhe vlerat e shtetit që po forcojmë çdo ditë”, është shprehur Veseli. 

Ai ka thënë se prosperiteti i vendit nuk arrihet pa unitet. 

“Ne me Dekadën e Re, do ta jetësojmë interesin e qytetarëve. Ne kemi besim të arrijmë vendet e zhvilluara, ne nuk jemi inferior ndaj asnjë populli e kombi në Evropë, për shkak të vlerave tona, ne sot duhet t’ju japim hapësirë me Dekadën e Re. Veni ynë ka nevojë për ndërmarrësit e rinj, iniciativën e lirë, jo të rinj parazit që vetëm ankohen dhe mendojnë si të ikin nga përgjegjësia e zhvillimit të vendit të vet”, ka deklaruar Veseli.

Veseli ka theksuar se PDK-ja do të jetë adresa politike për të gjithë qytetarët e vendit tonë. 

“Ju do të vendosni se sa ne do të jemi të fuqishëm, sa do të jetë PDK-ja e fortë, sa do të jetë Drenica e fortë, sa do të jetë Kosova e fortë”, theksoi kryetari Veseli.

Në fjalën e tij, kryetari i Degës së PDK-së në Drenas, Nexhat Demaku, vlerësoi lart hapjen e Konventës zgjedhore, duke çmuar angazhimin shumëvjeçar të anëtarësisë së gjerë.

Ndërsa kryetari i komunës, njëherësh kryetar i Komisionit zgjedhor në degë, Ramiz Lladrovci, ka theksuar se zgjedhjet e brendshme në degën e PDK-së në Drenas janë fillim i fitores së re.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), sot (e…