Veseli: PDK-ja çmon individin por nuk është në shërbim të individit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar dje strukturat e degës së PDK-së në Pejë, i cili u mbajt në parkun e qytetit, ku morën pjesë edhe anëtarë e simpatizantë të kësaj partie.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli i shoqëruar nga kryetari i degës së PDK-së në Pejë, Xhavit Haliti, kanë folur para të pranishmëve për vizionin dhe rolin e PDK-së dhe Dekadës së Re.
Lideri i PDK-së, Kadi Veseli ka potencuar vlerën e sipërmarrësve pejanë duke potencuar që strukturat e degës të jenë afër sipërmarrësve të rinj, t’i mbështesin dhe t’iu hapin derën gjeneratave të reja të dëshmuara në çdo sferë të jetës.
“PDK çmon individin por nuk është në shërbim të individit. Ne jemi për Kosovën dhe interesat e saja nacionale. Peja ka kapacitete të jashtëzakonshme ndaj edhe kam ardhur sot të zhvilloj këtë diskutim. Unë ju ftoj të jeni në komunikim me secilin qytetar, ta afroni, ta mbështesni, sidomos sipërmarrësit e rinj. Të jeni në komunikim me të gjithë duke qenë korrekt dhe duke hapur derën e PDK-së për ta. Nëse jemi të tillë, atëherë nuk ka nevojë të flitet se kush do jetë i pari në Pejë. Ajo i takon kualitetit dhe ne kemi kualitete”, ka thënë Veseli.
Ndërsa Xhavit Haliti vlerësoi lart procesin e brendshëm zgjedhor dhe Konventën qendrore, që sipas tij dëshmoi kulturën dhe fuqinë e demokracisë në PDK, duke qenë parti lider me vlerat dhe orientimet e saja të përmbledhura në platformën dhe vizionin e kryetarit Veseli, Dekada e Re.
Pas takimit me strukturat lokale të degës së PDK-së në Pejë, lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka takuar udhëheqësit lokal të degës së PDK-së në Deçan ku vlerësoi punën e bërë dhe vizionin e PDK-së, platformës Dekada e Re, e cila ka prioritet perspektivën për të rinjtë në vendin tonë, për përkushtim ndaj nevojave për vende të reja pune për rininë dhe gratë, me përfaqësim dhe përgjegjësi.