Veseli: PDK-ja e fortë, garanci për sovranitetin dhe territorin
Partia Demokratike është partia e vetme në Kosovë e cila do ta garantojë sovranitetin, integritetin dhe zhvillimin e vendit. Kështu tha kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, në hapjen e Konventës zgjedhore të degës së PDK-së në Prishtinë.
“Sa më e fortë është PDK-ja, aq më i garantuar është sovraniteti dhe integriteti territorial, aq më e fuqishme është Republika e Kosovës. Ka nevojë Kosova për një vizion, i cili i ofron stabilitet zhvillim, të ardhme. Nuk ka nevojë Kosova për me e vë në pikëpyetje të sotshmen e vet. Ta ruajmë këtë që e kemi arritur me mënyrën e shenjtë. Në asnjë moment të historisë së vet nga krijimi, në këto procese të shtetndërtimit ne nuk kemi nevojë ta ulim kokën. Sepse kemi me qenë me popullin, me qytetarët tanë”, tha Veseli.
Kreu i PDK-së tha se vizioni i PDK-së është ndërtimi i shtetit me besim, zhvillim e integrim.
“Ky është vizioni ynë në dekadën e dytë të shtetit, ta ndërtojmë shtetin tonë në besim e integrim. Kush mundet ma mirë me bë sesa PDK. Garanci e kufijve e sovranitetit integritetit tonë janë institucionet e Kosovës. Nuk do të lejojmë asnjëherë që të cenohet asnjë milimetër e territorit të Kosovës. Duhet të punojmë më shumë dhe me më shumë vendosmëri”, tha lideri i PDK-së.
Ai i ftoi të gjithë anëtarët e PDK-së në Prishtinë që të bashkohen dhe të punojnë më shumë në shtrirjen e strukturës në secilën lagje të kryeqytetit.
“Nuk është e mjaftueshme të themi se vetëm po keq-qeveriset Prishtina. E mjaftueshme është që të afrojmë njerëzit e Prishtinës. Orientohuni nga familjet më të mira të cilat kanë etikë, patriotizëm e intelektualizëm”, tha Veseli.
Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se PDK ka kapacitet intelektual dhe ekspertë të shumtë dhe është parti e ideve politike.
“PDK ka kapacitet edhe intelektual, edhe profesional. Shihet që na nuk jemi vetëm parti që jemi në pushtet, por jem parti edhe e ideve politike. Përvoja jonë në këto 10-12 vite e ka ndryshuar Kosovën. Por këtë ndryshim nuk kemi arritur me bë në Prishtinë”, tha Hoxhaj.
Ndërsa nënkryetari Uran Ismaili tha se jeta e qytetarëve ka ndryshuar kur Partia Demokratike e Kosovës ka ardhur në pushtet.
“Jeta e qytetarëve ka ndryshu atëherë kur PDK ka ardhë në pushtet. Fatkeqësisht Prishtina ka mbet një qytet që nuk i plotëson ëndrrat e qytetarëve. Kemi një komunë, një qeverisje që i përshtatet disa personave, por jo qytetarëve të Prishtinës”, tha Ismaili.
Sipas Ismailit, zgjedhjet e ardhshme do ta shënojnë fitoren e PDK-së në Prishtinë.
“Sot kemi me fillu me Dekadën e Re, do ta hapë etapën për fillimin e ndryshimit në Prishtinë. Do të kemi një shtrirje shumë më të madhe, më të fuqishëm dhe rrjedhimisht do të jemi të përgatitur për zgjedhjet e ardhshme të cilat do të shënojnë fitoren e PDK-së në Prishtinë”.
Lirak Çelaj, kryetar i degës së PDK-së në Prishtinë, tha se “Dekada e Re” me në krye Kadri Veselin, do ta ndërrojë të ardhmen e Kosovës.
“PDK po hyn në një proces para një misioni që është Dekada e Re. Kam besim të fortë që ky program do të ndikojë edhe në procesin. Do të zgjedhë njerëz të rinj”.
“Dekada e Re ka të bëj me zhvillim ekonomik me një të ardhme. Zgjidhni më të mirët, njerëzit e rinj. Me Dekadën e Re në krye me zotëri Veselin, do ta ndërrojmë të ardhmen e vendit tonë. Shpresoj që ky proces do t’i nxjerrë njerëzit e duhur dhe do ta sjellin edhe krenarinë, edhe Prishtinën që ta kthejmë partinë në vend të parë e qytetit t’ia kthejmë dinjitetin”, ka thënë Çelaj.