Veseli: PDK-ja nuk do t’i ngarkojë bizneset me asnjë tatim të ri
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Kadri Veseli, ka thënë se nëse kjo parti do t’i fitojë zgjedhjet e 6 tetorit, asnjë biznes në Kosovë nuk do të ngarkohet me tatim të ri dhe se nuk do t’i rrisë tatimet ekzistuese.
“Me vetiniciativën e tyre, me guximin, punën dhe talentin, ndërmarrësit kudo në Kosovë janë motorë të rritjes ekonomike. Në një takim me qindra ndërmarrës në Ferizaj theksova rolin e pazëvendësueshëm të tyre në krijimin e vendeve të reja të punës. PDK-ja nuk do t’i ngarkojë bizneset me asnjë tatim të ri dhe nuk do t’i rrisë as tatimet ekzistuese. Do të ndodhë e kundërta, ne do të ofrojmë lirime, incentiva dhe do ta eliminojmë burokracinë. Ne do ta bëjmë zhvendosjen e pagesës së TVSh-së nga kufiri në brendësi të vendit, në mënyrë që bizneset ta paguajnë TVSh-në vetëm kur malli të jetë në duar të konsumatorëve”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se malli i importuar mund të qëndrojë pa u shitur edhe me vite. “Kështu që duke mos paguar më TVSh-në në kufi, bizneset mund të kursejnë dhe të investojnë më shumë në zgjerimin e veprimtarive të tyre. Asnjë biznes më nuk do të ketë nevojë të marrë kredi për të paguar TVSh-në, duke minimizuar kështu edhe koston e interesave. #PDK112”, ka shkruar Veseli.
/Epoka e re/