Veseli: PDK-ja po krijon gjeneratë për qeverisje transformuese në Prishtinë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka marrë pjesë të mërkurën në Kuvendin Zgjedhor të Rinisë Demokratike të Kosovës, dega në Prishtinë.
Ai uroi të gjithë të rinjtë anembanë Kosovës që janë bërë pjesë e strukturave rinore.
Veseli ka theksuar se marrja e përgjegjësive politike nga rinia është garanci e transformimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës.
Ai ka thënë se Prishtina ka nevojë për një gjeneratë të re qeverisëse, për ta zhvilluar atë, për ta bërë ata vërtetë kryeqytet.
“Çdo gjë e mirë që i ka ndodhë Kosovës, ka nisur me rininë. Prandaj edhe ne i kemi filluar zgjedhjet e brendshme me rininë”, është shprehur Veseli para delegatëve.
Ai ka deklaruar se PDK-ja ka qenë dhe mbetet shembull për organizimin e zgjedhjeve të brendshme, duke qenë ato shumë transparente, demokratike dhe masive.
Veseli ka shtuar se PDK-ja është garanci e zhvillimit të Kosovës, ashtu siç ka qenë deri tash.
“Ne kemi një vizion të qartë për vendin. Për një shtet të barabartë, me respekt për njëri-tjetrin, me respekt për vendin”, ka thënë ai.
“Do të punojmë bashkë, me sinqeritet dhe pa mburrje. Jam i frymëzuar nga motivi juaj për të punuar në transformimin ekonomik të vendit”, ka deklaruar Veseli.
Ndërsa zëvendëskryetari Enver Hoxhaj ka thënë se PDK-ja është parti e shpresës dhe zhvillimit. Prandaj, tha ai, rinia po i bashkohet platformës së Dekadës së Re si adresa e shpresës dhe zhvillimit.
Të shtunën dhe të dielën zhvillohet Konventa Zgjedhore e Rinisë Demokratike të Kosovës. Në vjeshtë, ndërkaq fillojnë zgjedhjet në strukturat tjera.
/Epoka e re/