Veseli: Pensionimi i parakohshëm dhe sigurimi shëndetësor i policëve do të adresohen së shpejti
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar të enjten drejtuesit e Policisë së Kosovës, dhe i ka përgëzuar ata për punën profesionale të tyre në zbatimin e ligjit në Kosovë.
Veseli nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook” ka shkruar se duhet të punohet edhe më shumë që Kosova të jetë shembull i sundimit të ligjit, ku secili do trajtohej në mënyrë të barabartë.
“Drejtuesit e Policisë së Kosovës i përgëzova sot për punën e jashtëzakonshme në zbatimin e ligjit në gjithë territorin e Kosovës dhe krijimin e një ambienti më të sigurt për qytetarët tanë. Duhet të punojmë edhe më shumë që Kosova të jetë shembull i sundimit të ligjit, ku secili trajtohet në mënyrë të barabartë dhe të jemi të pakompromis në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Diskutuam edhe për kërkesat që pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë për pensionimin e parakohshëm, sigurimin jetësor dhe sigurimin shëndetësor. Këto janë tri segmente tejet të rëndësishme për këtë institucion dhe ne do t’i adresojmë shumë shpejt ato”, ka shkruar Veseli.
/Epoka e re/