Veseli për 6 tetorin e vitit 1968: Pikë kthese e luftës për liri që u kulmua me luftën e UÇK-së
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka përkujtuar përvjetorin e protestave masive për Kosovën Republikë të 6 tetorit të vitit 1968.
Veseli ka thënë se 6 tetori i vitit 1968 është një ndër datat më të lavdishme të historisë së popullit tonë, duke shënuar një pikë kthese vendimtare.
“Këto demonstrata bënë jehonë të madhe brenda e jashtë vendit duke rikthyer kauzën tonë kombëtare në qendër të vëmendjes si dhe duke tronditur rëndë themelet e regjimit komunist jugosllav për herë të parë prej Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Veselit:
6 Tetori i vitit 1968 është një ndër datat më të lavdishme të historisë së popullit tonë duke shënuar një pikë kthese vendimtare me demonstratën e parë masive që nisi në Prizren.
Ajo u pasua nga demonstratat e tjera të shqiptarëve anembanë ish-Jugosllavisë të cilat ngritën zërin për Republikë, për përdorimin e lirë të flamurit kombëtar dhe për universitet.
Këto demonstrata bënë jehonë të madhe brenda e jashtë vendit duke rikthyer kauzën tonë kombëtare në qendër të vëmendjes si dhe duke tronditur rëndë themelet e regjimit komunist jugosllav për herë të parë prej Luftës së Dytë Botërore.
Ne sot kujtojmë me nderim atë kryengritje të popullit tonë, që ndonëse u shtyp brutalisht, gjithsesi pati ndikim të madh sepse detyroi Beogradin që në shkurt 1969 të miratonte Ligjin Kushtetues për Krahinën Autonome të Kosovës si dhe në nëntor ligjin për themelimin e Universitetit të Prishtinës.
Protestat e atij viti dëshmuan se të drejtat realizohen vetëm duke ngritur krye. Po ashtu treguan se dëshira e popullit tonë për liri nuk është shuar asnjëherë dhe se përpjekjet tona për të drejtat kombëtare kanë qenë të pareshtura deri sa kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
https://www.facebook.com/kadriveseliofficial/videos/627862447924820