Veseli për Aljazeera Internacional: Ushtria e Kosovës do ta forcoj paqen në rajon
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një intervistë për “Aljazeera Internacional” në gjuhën angleze, ka thënë se Ushtria e Kosovës do të jetë transparente, multietnike dhe profesionale dhe se oficerët tanë janë përgatitur në akademitë më të mira të botës si West Point, National Defense University apo Sandhurst.
Pyetjes nëse krijimi i Ushtrisë së Kosovës duhet parë si kërcënim për Serbinë, Veseli i është përgjigjur se jo vetëm që nuk duhet konsideruar si kërcënim, por si faktor stabiliteti e paqe për gjithë rajonin.
Më tej, Kryeparlamentari Veseli shtoi se Ushtria e Kosovës vjen si pjesë e një procesi dhjetëvjeçar të krijimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në partneritet të ngushtë me SHBA-të dhe aleatët e tjerë të NATO-s duke ndjekur standardet më të larta të profesionalizmit.
Lidhur me deklaratat agresive të Beogradit, ai tha se Kosova është një vend sovran dhe i pavarur dhe formimi i ushtrisë është një e drejtë legjitime dhe veprim i natyrshëm. Prandaj, ai theksoi se Serbia nuk duhet dhe nuk mund të interferoj në politikën e brendshme të Kosovës dhe ka bërë thirrje ndaj Serbisë që mos kërcënoj qytetarët e komunitetit serb sidomos në veri.
Sipas Veselit, Serbia ka shantazhuar ushtarët e komunitetit serb të Kosovës që të largohen nga Forca e Sigurisë së Kosovës ndërkohë që vullneti i bashkëqytetarëve serb të Kosovës është që të integrohen në të gjitha strukturat tona të sigurisë.
Kur u pyet për tensionet e mundshme me Serbinë, Kryeparlamentari Kadri Veseli tha që “ne jemi të angazhuar për dialogun dhe që së shpejti në Kuvendin e Kosovës do të kalohet një rezolutë që dëshmon vullnetin për të zgjidhur njëherë e mirë konfliktin me Serbinë”.
Me këtë rast, ai u shpreh optimist se dialogu do jetë i suksesshëm dhe se në një të ardhme të afërt do të arrihet një marrëveshje që do të sjell njohje të dyanshme mes Serbisë e Kosovës si dhe do të sjellë paqe e stabilitet në rajon.