Veseli për fazën finale të dialogut me Serbinë: Sovraniteti i Kosovës është i shenjtë
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë po shkon drejt fazës së fundit.
Në qershor pritet të nisin negociatat në nivelet më të larta ndërshtetërore, të cilat duhet të përfundojnë me marrëveshje të detyrueshme për të dyja palët.
Për të folur mbi një ndër zhvillimet më të rëndësishme të vitit në Kosovë dhe rajon, në edicionin e lajmeve në “Top Channel” ishte i ftuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëkohësisht dhe kryetar i PDK-së, pjesë e koalicionit qeveritar.
Veseli ka thënë se për shtetin e Kosovës, sovraniteti territorial është i shenjtë.
“Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në progres, po flas për liritë dhe të drejtat e komuniteteve. Jemi i vetmi vend që u japim të drejta maksimale, në të përqindje shumë të vogël komunitetesh të cilat janë joshqiptare, jo vetëm komuniteti serb, por përfshirë edhe atë, ne do të punojmë edhe më tutje. Nuk është çështje që na dekurajon kjo pjesë. Por, ajo që është kryesore, sovraniteti dhe integriteti territorial dhe institucional i shtetit tonë të pavarur dhe sovran është i shenjtë. Në të njëjtën kohë kemi garanci nga partnerët tanë ndërkombëtarë se në procesin e finalizimit të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, nuk do të cenohen këto parime të cilat i kemi ngritur edhe bashkërisht”, ka thënë Veseli.