Veseli për letrën e Trumpit: Kosova e bekuar për miqësinë me SHBA-në
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, vlerëson se letra e presidentit amerikan Donald Trump drejtuar presidentit Hashim Thaçi, është një mesazh i qartë përkrahës për Kosovën dhe shtetësinë e saj.
Në një deklaratë të publikuar në faqen e tij në “Facebook”, Veseli thotë se thirrja e presidentit të SHBA-ve, Donal Trump, është thirrje për të gjithë akterët në politikë që t’i bashkohen rrugëtimit në Dialog, për njohje të Kosovës nga Serbia dhe anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Ai ka ftuar sërish Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje që t’i bashkohen Ekipit Shtetëror, i miratuar para disa ditëve në Kuvendin e Kosovës dhe që bashkë të forcojnë Kosovën.
Statusi i plotë i Kadri Veselit:
Letra e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, drejtuar Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është një mesazh i qartë përkrahës për Kosovën dhe shtetësinë e saj.
Është edhe një dëshmi shtesë për miqësinë e natyrshme dhe të përjetshme mes Kosovës dhe SHBA-ve.
Dialogu është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e problemeve dhe thirrja e Presidentit të SHBA-ve është thirrje për të gjithë akterët në politikë që t’i bashkohen rrugëtimit tonë në Dialog për njohje të Kosovës nga Serbia dhe anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Ftoj edhe një herë Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje që t’i bashkohen Ekipit Shtetëror, i miratuar para disa ditëve në Kuvendin e Kosovës dhe që bashkë të forcojmë Kosovën.
Kosova është e bekuar me miqësinë që ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.