Veseli: Për mua dhe Thaçin, Mitrovica është e shenjtë

27 tetor 2018 | 20:44

Partia Demokratike e Kosovës (PDK),  ka hapur sot procesin e brendshëm zgjedhor në Mitrovicë e Vushtrri, ku i pranishëm ishte edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli.

I pari i PDK-së tha se sa më e fuqishme dhe më e madhe të jetë PDK-ja, aq më e fuqishme do të jetë Mitrovica dhe gjithë Kosova.

Ai tha se vendi po kalon nëpër sfida shumë të rëndësishme.

“Do të flas në mënyrë më të veçantë, për shkak të pozicionit gjeografik. Mund të dëgjoni në të majtë e në të djathtë, por të jeni të sigurt se Mitrovica është e shenjtë, aq sa është për secilin flamuri kombëtar. Është e shenjtë, aq sa është i shenjtë varri i Isa Boletinit. Është i shenjtë sovraniteti, integriteti i shtetit të pavarur dhe sovran, jo vetëm në Mitrovicë, por flamuri i Kosovës duhet të valvotet edhe në Zveçan e në Leposaviç. Dua të them edhe diçka tjetër, sa është e shenjtë për ju, është e shenjtë edhe për mua, edhe për Hashim Thaçin”, ka deklaruar Veseli.

\

Lideri i PDK-së ftoi të gjithë qytetarët e Mitrovicës që të bashkohem me PDK-në gjatë procesit zgjedhor partiak, për të punuar së bashku në zhvillimin e qytetit të Mitrovicës.

“Ka nevojë Kosova për një adresë të sigurt politike, e cila i krijon siguri, e cila i krijon zhvillim, emancipim. Për t’i arritur sukseset në sfidat e reja politike, Kosova ka nevojë për një adresë të fuqishme politike. Një adresë e cila ka vizion, gatishmëri, ka dashuri për shtetin, ka dashuri për njerëzit e Kosovës. E kjo është platforma jonë e Dekadës së Re, për besim, zhvillim e integrim, kjo është platforma e PDK-së”, tha Veseli, ndërsa theksoi se nuk do të lejojë që asnjë njeri me elemente korruptive të jetë pjesë e PDK-së.

“Ata që e shkelin ligjin, do të përballen me ligjin. Nuk do të lejoj Partia Demokratike e Kosovës asnjë element korruptiv dhe asnjë të korruptuar brenda partisë”, u shpreh Veseli.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ndërkaq, foli para qytetarëve të Mitrovicës për sukseset dhe projektet që lidershipi i PDK-së ka realizuar në dekadat e kaluara.

“Tri dekadat e fundit, nuk ka proces politik, ushtarak, të zhvillimit dhe projekt të dobishëm që nuk e ka vulën e lidershipit të PDK-së. Qysh nga lëvizja studentore, krijimi i UÇK-së, shpallja e pavarësisë, transformim ekonomik, ndërtimi i autostradave dhe shkollave më moderne, rritja e pagave për të gjitha kategoritë, e shumë projekte të mëdha, janë vepra dhe punë të Partisë Demokratike të Kosovës”, u shpreh Hamza.

Ndërsa, Valdete Idrizi, ftoi qytetarët e Mitrovicës që në këtë proces zgjedhor të bëhen pjesë e PDK-së.

“Jam krenare që jam pjesë e PDK-së dhe i ftoj të gjithë njerëzit e mirë të Mitrovicës, të gjithë intelektualët, studentët, të rejat e të rinjtë mitrovicas që të bëhen pjesë e PDK-së për ta jetësuar Dekadën e Re dhe për ta zhvilluar Mitrovicën e gjithë Kosovën”, ka deklaruar Idrizi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prestigjiozja amerikane “Lonely planet”: Eksploroni një kryeqytet tërheqës si Tirana…