Veseli për shkarkimin e Sefajt dhe Gashit: Me të drejtë janë shkarkuar
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur për rastin e fundit të deportimit të gjashtë shtetasve turq, mësimdhënës të kolegjit “Mehmet Akif”, njëri ndër ta edhe drejtori i këtij kolegji dhe zëvendësdrejtori.
Veseli në fjalën e tij para deputetëve në seancën e sotme të Kuvendit ka thënë se asnjë informatë nuk e ka pasur për këtë rast.
Ai ka thënë se lajmin e ka marrë nga familjarët e të arrestuarve.
“Kemi të bëjmë me mësimdhënës, ku shumica e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës i kanë pasur fëmijët në këtë shkollë. Edhe fëmijët e mi kanë qenë duke u shkolluar aty”, ka thënë Veseli.
Veseli ka bërë me dije se për këtë rast e ka thirrur kryeministrin, çdo institucion që ka pasur përgjegjësi për këtë rast. “Kam qenë në gjendje për të shkuar edhe në aeroport”, është shprehur kryeparlamentari Veseli.
Veseli ka thënë se nuk e dinë ku i kanë dorëzuar ata njerëz.
“I dorëzuam njerëzit dhe nuk e dimë ku i kemi dorëzuar. Jo ashtu qysh janë marrë sikurse me i kindapu. Imagjinojeni nëse i mbysin. Po flasim për procedura dhe për sjellje të shtetit. Ne iu kërkojmë shumë falje familjarëve, sepse përgjegjësi kam edhe unë, edhe kryeministri, edhe presidenti”, ka thënë Veseli.
Duke folur për lirimin nga detyra të ministrit të MPB-së, Flamur Sefaj dhe drejtorit të AKI-së Driton Gashi, kryeparlamentari Veseli ka thënë se me të drejtë duhet të ecin nga këto pozita.
“Ata me të drejtë janë shkarkuar dhe duhet me ecë, nuk është pjesa e fundit e përgjegjësisë”, ka thënë Veseli.