Veseli: Për të nderuar kujtimin e dëshmorëve, do t’ia heqim UÇK-së njollën e veteranëve të rremë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kujtuar sot në 21-vjetorin e rënies së tyre, dëshmorët Bekim Berisha-Abeja, Xheladin Kurtaj, Agim Bajrami, Bedri Shala, Besnik Begunca, Elton Zherka dhe Përmet Vula.
Nëpërmjet një shkrimi në faqen e tij në “Facebook”, lideri i PDK-së ka thënë se për të përmbushur aspiratat e dëshmorëve dhe luftës së lavdishme të UÇK-së, duhet t’ia heqim njollën që i është vënë luftës sonë çlirimtare prej abuzimit me veteranët e rremë.
“Si sot 21 vjet më parë, në frontet e luftës së Ushtrisë Çlitimtare të Kosovës kanë rënë heroikisht: Bekim Berisha-Abeja, Xheladin Kurtaj, Agim Bajrami, Bedri Shala, Besnik Begunca, Elton Zherka dhe Përmet Vula. Ne sot kemi arritur shumë falë sakrificës së tyre por Kosova nuk është akoma ajo që ata kanë ëndërruar. Na mbetet shumë për të bërë që të përmbushim aspiratat e Abesë dhe të mijëra dëshmorëve të tjerë, që të kemi një Kosovë të zhvilluar me shumë mundësi për të rinjtë tanë. Për të nderuar kujtimin e veprës së tyre, ne duhet t’ia heqim njollën që i është vënë luftës sonë çlirimtare prej abuzimit me veteranët e rremë. Ua kemi borxh dëshmorēve që të bëjmë më të mirën për UÇK-në dhe vendin tonë”, ka shkruar Veseli.