Veseli përkujton betejën në grykën e Kaçanikut
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka kujtuar sot betejën e Kaçanikut dhe kryengritjen e shqiptarëve në vitin 1910. Veseli në një shkrim publikuar në “Facebook” ka thënë se në Kaçanik 110 vjet më parë nisi beteja më heroike e popullit shqiptar, ku rreth 3 000 luftëtarë të udhëhequr nga Idriz Seferi u përballën me sulmin e mbi 10 000 ushtarëve osmanë të komanduar nga Shefqet Turgut Pasha.
“Gryka e Kaçanikut dhe populli i kësaj zone e ka një traditë të lavdishme luftarake duke nisur me kryengritjen kundër osmanëve të udhëhequr nga Pjetër Bogdani përkrah austriakëve në 1690, kryengritjen e prirë nga Dervish Cara në 1844, luftën në kuadër të Lidhjes së Prizrenit në 1881, betejën e sipërpërmendur të 1910, betejën tjetër kundër pushtuesit serb në 1913 për të arritur në kohët tona me luftën e fundit të 9 prillit 1999 ku dhanë jetën 28 dëshmorë të UÇK-së”, ka shkruar Veseli.
Shkrimi i tij:
110 vjet më parë, këtu në Kaçanik, ka nisur njëra nga betejat më heroike të popullit shqiptar, ku rreth 3000 luftëtarë të udhëhequr prej Idriz Seferit, u përballën me sulmin e mbi 10000 ushtarëve osmanë të komanduar nga Shefqet Turgut Pasha. Me gjithë epërsinë e madhe të armatimit dhe të forcave që kishte ekspedita osmane, trimat e Idriz Seferit shpartalluan rreth 20 batalione armike duke bërë që Turgut pasha të humbte në Kaçanik më shumë se një të katërtën e forcave. Kjo betejë si dhe gjithë kryengritja e vitit 1910, i hapën rrugën shpalljes së pavarësisë dy vjet më vonë si dhe patën jehonë të madhe në gjitha kancelaritë e fuqive të mëdha.
Gryka e Kaçanikut dhe populli i kësaj zone e ka një traditë të lavdishme luftarake duke nisur me kryengritjen kundër osmanëve të udhëhequr nga Pjetër Bogdani përkrah austriakëve në 1690, kryengritjen e prirë nga Dervish Cara në 1844, luftën në kuadër të Lidhjes së Prizrenit në 1881, betejën e sipërpërmendur të 1910, betejën tjetër kundër pushtuesit serb në 1913 për të arritur në kohët tona me luftën e fundit të 9 prillit 1999 ku dhanë jetën 28 dëshmorë të UÇK-së. Nuk është rastësi që delegatët e Kuvendit të Kosovës këtu gjetën strehë të sigurtë për t’u mbledhur e për të shpallur Deklaratën Kushtetuese të Kaçanikut më 07 shtator të vitit 1990.
Lavdi dëshmorëve e luftëtarëve të panumërt që kjo trevë patriotike ka prodhuar brez pas brezi!