Veseli: Planin kundër korrupsionit do ta jetësojmë me asistencën amerikane
Kandidati për kryeministër i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se me qytetarët e Vitisë, ndërmarrësit e vegjël dhe të mëdhenj, ka biseduar për rëndësinë që ka Gjykata Komerciale për Kosovën.
Sipas Veselit, kjo gjykatë do të rrisë efikasitetin e trajtimit të kontesteve biznesore dhe do të ndihmojë në krijimin e një ambienti më të mirë për bizneset vendore, por edhe për investitorët e huaj.
“Stafin e kësaj gjykate do ta trajnojmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njëjtë sikurse dhe Planin Kundër Korrupsionit që do ta jetësojmë me asistencën amerikane”, ka shkruar Veseli.
“Ne do të punojmë që korrupsioni të mos jetë më as pjesë e mendësisë që për ta arritur qëllimin duhet të përdoret si mjet. Por, lufta kundër kundër korrupsionit, në mbështetje të plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të jetë mjeti për realizimin e qëllimit final për zhvillimin ekonomik, mirëqenien qytetare, shanset e barabarta dhe shoqërinë pa korrupsion e pa nepotizëm”, ka thënë Veseli.