Veseli pranon raportin e auditimit për OEK-un
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), nga të cilët ka pranuar raportin e auditimit për OEK-un, për vitin 2017.
Bazuar në të dhënat e raportit, kryeparlamentari Veseli e ka vlerësuar Odën Ekonomike shembull të punës transparente dhe të shpenzimit të parasë, e vlerësuar tashmë edhe nga auditorë evropianë.
Veseli ka thënë se Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe Odën Ekonomike i lidhë vlerësimi i auditorëve për të dyja institucionet, duke i konsideruar kampionë të transparencës dhe të menaxhimit të buxhetit.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës po ashtu është kampion në auditime gjatë gjithë këtyre viteve, në vazhdimësi. Unë si kryetar i Kuvendit vetëm sa e kam thelluar transparencën dhe llogaridhënien para qytetarëve”, është shprehur Veseli.
Kreu i Kuvendit ka bërë thirrje për syçeltësi në shpenzimin e parasë publike, ndërsa punën e Odës Ekonomike e konsideroi shembull të punës për agjenci që i raportojnë Kuvendit.
Ndërkaq kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se qëllimi pse i po dorëzohet Kuvendit ky raport, është edhe fakti se në tre vitet e fundit, Kuvendi, bazuar në të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm, ka qenë njëra ndër institucionet më transparente.
Gërxhaliu ka theksuar se raporti i auditimit për OEK-ut për vitin 2017, i realizuar nga një kompani prestigjioze evropiane, është pa asnjë të gjetur negative.
/Epoka e re/