Veseli premton 300 çerdhe të reja dhe një mijë euro për secilën lindje të tretë
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Kadri Veseli, gjatë ditës ka vizituar një çerdhe në kryeqytet, nga ku është zotuar se gjatë qeverisjes së tij do të ndërtohen 300 çerdhe të reja në tërë vendin.
Nga aty Veseli ka thënë se fokus i tij është futja obligative e fëmijëve nga mosha 0 deri në moshën 6-vjeçare në edukimin parashkollor.
Po ashtu, Veseli ka folur edhe për rritjen e familjeve, ku premtojë se do stimulojnë lindjen e fëmijëve, ku tha se për fëmijën e tretë familjet do të marrin një mijë euro.
Ndërsa drejtoresha e kopshtit “Bardha”, Gëzime Rexhepi-Çollaku, ka thënë se sfida më e madhe me të cilën përballen gjatë punës së tyre është pushimi i lehonisë.
Ajo nga Veseli ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje në mënyrë që t’iu lehtësohet puna bizneseve, e edhe gratë të kenë mundësi të rrisin familjet e tyre.
Pretendenti për kryeministër të vendit, ka premtuar se do të jetë në mbështetje të fuqizimit të çerdheve private.
Gjatë këtij takimi Veseli ishte i shoqëruar nga kandidatja për deputete nga PDK-ja, Dhurata Hoxhaj.